Plenković: Serbia në prag të luftës civile

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, ka shprehur shqetësim për situatën politike në Serbi, duke paralajmëruar për mundësinë e një destabilizimi të thellë në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi gjithashtu nevojën për një qasje më të kujdesshme të Bashkimit Evropian ndaj procesit të zgjerimit.

Gjatë një paneli në Forumin Strategjik të Bledit, ku morën pjesë edhe kryeministrat e Shqipërisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi, Plenković u shpreh se Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike, e cila mund ta çojë vendin drejt një konflikti të brendshëm.

“Serbia përballet prej dy vitesh me trazira të mëdha dhe tension politik. Në këtë situatë, është e vështirë të flitet për integrim të menjëhershëm në BE,” tha ai.

Ai shtoi se situata në Bosnje e Hercegovinë gjithashtu mbetet shqetësuese, për shkak të retorikës separatistike të liderit serb, Milorad Dodik, dhe ngjarjeve në Banjskë në 2023, që sipas tij nuk morën vëmendjen e duhur nga Bashkimi Evropian.

Plenković paralajmëroi se këto zhvillime janë sinjale shqetësuese për stabilitetin e të gjithë rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *