Pluhur hëne, më i çmuar se ari, tani në duart e shkencëtarëve!

Grimcat mikroskopike të pluhurit të sjella nga misioni hapësinor kinez “Chang’e 5” në vitin 2020 janë cilësuar si më të çmuara se ari. Pas ruajtjes në Pekin, këto mostra të rralla janë shpërndarë në disa vende të botës, përfshirë Britaninë e Madhe, Rusinë, Japoninë, Pakistanin dhe shtete të tjera evropiane.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Profesor Mahesh Anand është i vetmi shkencëtar që ka marrë këtë material të veçantë, të cilin e përshkruan si të pasur me informacion rreth origjinës së Hënës – dhe ndoshta edhe të vetë Tokës. Megjithëse në pamje të parë duket si pluhur i zakonshëm, ai mund të përmbajë sekrete nga koha kur Hëna u formua, pas një përplasjeje mes Tokës dhe një trupi tjetër qiellor, rreth 4.5 miliardë vjet më parë.

Për të ruajtur pastërtinë e kampionëve, ato mbahen në ambiente të sterilizuara, ku çdo kontakt me ndotës tokësor është i kontrolluar rreptësisht. Në laboratorë të specializuar, grimcat do të analizohen me lazer dhe nën temperatura deri në 1400°C, për të zbuluar përbërës si oksigjeni, azoti dhe gazrat fisnikë.

Shkencëtarët kanë vetëm një vit kohë për të kryer analizat, pasi kampionët do të përdoren plotësisht gjatë procesit, duke e bërë këtë një mundësi të vetme dhe të pa përsëritshme për të kuptuar më shumë rreth historisë së universit tonë.

Profesor Anand shpreson që ky projekt të shërbejë si një hap drejt bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e eksplorimit hapësinor, ndërsa Kina vazhdon misionet e saj për të zbuluar më shumë rreth satelitit tonë natyror – Hënës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *