Policia paralajmëron gjoba për monopatinat; shkaktare të 35% të aksidenteve rrugore në kryeqytet!

Sipas të dhënave të Policisë Rrugore, rreth 35% e aksidenteve rrugore në kryeqytet përfshijnë monopatina dhe mjete të ngjashme të mikromobilitetit.

Për të frenuar këtë trend, autoritetet kanë intensifikuar kontrollet, duke vendosur gjoba ndaj drejtuesve që nuk respektojnë rregullat bazë të sigurisë rrugore, siç është përdorimi i kaskës mbrojtëse. Gjobat për këtë shkelje variojnë nga 250 deri në 1,000 lekë.

Prej fillimit të vitit, mbi 7,500 qytetarë janë ndëshkuar për mospërdorimin e kaskës. Gjithashtu, janë konstatuar dhe ndëshkuar edhe shkelje të tjera, si tejkalimi i shpejtësisë, mungesa e dokumentacionit dhe drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit. Në disa raste, 32 persona janë proceduar penalisht për mungesë të dokumenteve të nevojshme për drejtimin e mjetit.

Krahas kontrolleve ndaj drejtuesve të monopatinave, Policia Rrugore ka ndërmarrë masa edhe kundër parkimeve të parregullta, duke bllokuar 19 automjete luksoze të parkuara gabimisht në rrugët e qytetit.

Policia apelon për më shumë ndërgjegjësim nga qytetarët dhe kërkon respektimin e rregullave të qarkullimit, për të garantuar sigurinë e të gjithëve në rrugë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *