Një problem kompleks që i mori një dekadë mikrobilogëve për ta zgjidhur, është arritur të zgjidhet në vetëm dy ditë nga një mjet i ri i Inteligjencës Artificiale (AI). Profesori Jose R Penades dhe ekipi i tij në Imperial College London kishin kaluar vite duke studiuar përse disa superbaktere janë imun ndaj antibiotikëve. Ata e dhanë problemin në duar të një mjeti të zhvilluar nga Google, i cili arriti ta zgjidhte në vetëm 48 orë.
Për të arritur këtë, studiuesit kishin shpenzuar një dekadë, përfshirë dhe kohën për të vërtetuar kërkimin, i cili kishte kërkuar vite për të arritur një hipotezë. Prof. Penades shpjegoi se mjeti i AI jo vetëm që riprodhoi kërkimin e tij, por ofroi edhe katër hipoteza të tjera, të gjitha të arsyeshme.
Studiuesit po shqyrtonin mënyrën se si krijohen superbakteret – mikrobe të rrezikshme që janë rezistente ndaj antibiotikëve. Hipoteza e tyre sugjeron se këto superbaktere mund të formojnë një “bisht” nga viruse të ndryshme, që u mundëson atyre të përhapen mes specieve. Ky zbulim mund të ndryshojë shkencën.
Ndikimi i AI është ende i diskutueshëm, me disa që besojnë se do të sjellë përparime shkencore, ndërsa të tjerë shqetësohen për humbjen e vendeve të punës. Megjithatë, Prof. Penades e sheh këtë si një mjet të fuqishëm që do të ketë ndikim të madh në të ardhmen. Ai e ka përshkruar këtë si një moment spektakolar dhe është i lumtur që është pjesë e këtij projekti.