Në më pak se dy orë nga fillimi i protestës së opozitës, e cila do të zhvillohet sot në orën 17:00 para Kryeministrisë, reagimet nga të dyja kampet politike janë të shumta. Opozita, e drejtuar nga Partia Demokratike, apelon për pjesëmarrje masive, ndërkohë që kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i PS-së i bën thirrje qytetarëve të braktisin protestën.
Policia e Shtetit ka bërë publike masat e sigurisë dhe ka shpallur zonat ku nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve. Për menaxhimin e protestës, janë angazhuar rreth 1 mijë efektivë. Po ashtu, një detaj interesant i protestës është fjalimi i regjistruar që Ilir Meta pritet të mbajë nga qelia. Pak orë para protestës, ai ka publikuar një postim në Facebook, ku ka bërë thirrje për pjesëmarrje dhe ka shpërndarë një foto me dy gishta lart, simbol i aleancës me PD-në e Berishës dhe mundësisë së përfshirjes së tij në listat e deputetëve.
Ndërkohë, Berisha ka bërë të ditur se kjo protestë do të jetë ndryshe nga të tjerat. Ai ka deklaruar se skenari do të shpallet plotësisht gjatë ditës së protestës, duke theksuar se “armiku” nuk duhet të dijë të gjitha taktikat e opozitës.
Rrugët ku do të kufizohet lëvizja:
-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
-Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.