Pse gjenerata Z ka probleme me gjumin?

Një studim i ri ka zbuluar se më shumë se një e treta e amerikanëve përballen me vështirësi për të fjetur pa ndërprerje, dhe se brezi i Gjeneratës Z përbën grupin më të prekur. Një sondazh ekskluziv i realizuar nga Talker Research për Newsweek shqyrtoi zakonet e gjumit dhe zbuluoi se 38% e të anketuarve përdorin zhurmën e bardhë ose tinguj të tjerë për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së gjumit të tyre.Sondazhi, i kryer ndërmjet 2 dhe 6 nëntorit 2024, përfshiu 1000 të rritur amerikanë dhe tregoi se përdorimi i zhurmës së bardhë ishte më i lartë tek Gjenerata Z, me pothuajse gjysmën e tyre (49%) që e përdornin për të fjetur. Pas Gjeneratës Z, renditeshin Gjenerata Y (41%) dhe Gjenerata X (40%), ndërsa Baby Boomers përdornin më pak këtë teknikë, me vetëm 32% të tyre që i ktheheshin ndihmës zanore për gjumë.

Ekspertja e Mjekësisë së Gjumit, Chelsea Perry, shpjegon se ky fenomen është i lidhur ngushtë me jetën digjitale dhe stimulimin e vazhdueshëm që karakterizon Gjeneratën Z.“Zhurma e bardhë mund të jetë një mjet i fuqishëm për të ndihmuar në gjumë, sidomos për Gjeneratën Z, e cila shpesh është e zhytur në një ambient digjital, ku qetësia është e pakët,” thotë Perry për Newsweek. “Ajo funksionon duke maskuar tingujt shqetësues të sfondit dhe krijon një mjedis zanor konstant, i cili ndihmon trurin të relaksohet”.

Sipas Perry-t, përdorimi i zhurmës së bardhë është i lidhur me ekspozimin e vazhdueshëm ndaj ekraneve dhe stimulimin e pandërprerë të mjedisit digjital.

“Për Gjeneratën Z, varësia nga zhurma e bardhë mund të vijë si pasojë e një shprese për një tingull të butë, që tregon momentin për relaksim. Kjo mund të ofrojë një kalim më të qetë, duke ndihmuar në neutralizimin e mbistimulimit që vjen nga përdorimi i telefonave dhe pajisjeve të tjera,” përfundon ajo.

Ky fenomen tregon një ndryshim të dukshëm në zakonet e gjumit të brezave të ndryshëm dhe pasqyron ndikimin e teknologjisë dhe mjedisit digjital në jetën e përditshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *