I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, ka njoftuar për CNN se presidenti Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të diskutojnë për situatën në Ukrainë gjatë kësaj jave, pas propozimit të SHBA-së për një armëpushim. Witkoff theksoi se megjithëse ka ende shumë çështje për t’u diskutuar, ai beson se biseda mes dy presidentëve do të jetë e dobishme dhe pozitive. Ai shtoi gjithashtu se Moska, Kievi dhe Uashingtoni janë të angazhuar për të përfunduar këtë konflikt.
Të premten, Kremlini njoftoi se Putin kishte dërguar një mesazh Trumpit lidhur me propozimin e armëpushimit, duke shtuar se koha për një bisedë mes dy liderëve do të përcaktohej pasi Witkoff t’i dorëzonte informacionin presidentit amerikan.
Ndërkohë, Ukraina ka shprehur pajtimin e saj për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, nëse Rusia ndalon sulmet në Ukrainën lindore. Megjithatë, Putin ka kërkuar kushte të ashpra për të pranuar ndonjë armëpushim, duke përfshirë kërkesa për dorëzimin e pesë rajoneve të aneksuara nga Rusia, heqjen dorë nga aspiratat e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n dhe shpërbërjen e qeverisë ukrainase.
Nga ana tjetër, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka vlerësuar si të frytshme bisedën telefonike me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, duke theksuar vështirësitë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare të paqes ndërkohë që lufta vazhdon. Ai po ashtu shpjegoi se presidenti Trump është i angazhuar për një armëpushim për të mundësuar negociatat për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit.