Qeveria amerikane e mbyllur për 36 ditë, mijëra njerëz pa paga

Mbyllja e qeverisë amerikane ka hyrë në ditën e 36-të, duke tejkaluar rekordin historik të vendosur gjatë mandatit të parë të Donald Trump.
Bllokimi nisi më 1 tetor, pasi Kongresi nuk ra dakord për planin e ri buxhetor që do të siguronte financimin e administratës. Si pasojë, qindra mijëra punonjës federalë kanë mbetur pa paga, ndërsa miliona amerikanë po vuajnë mungesën e shërbimeve thelbësore.

Për javë me radhë, demokratët dhe republikanët nuk kanë arritur asnjë kompromis. Demokratët kërkojnë që të zgjerohet subvencionimi i kujdesit shëndetësor për shtresat me të ardhura të ulëta, ndërsa republikanët i akuzojnë ata se po e mbajnë peng qeverinë.

Ndikimet po ndjehen gjithnjë e më shumë: kontrollorët e trafikut ajror dhe stafi i aeroporteve po punojnë pa pagesë, duke rritur frikën për vonesa dhe probleme në udhëtimet ajrore. Ndërkohë, një në tetë amerikanë që mbështeten në ndihma ushqimore po përballen me reduktime, pasi fondet federale janë drejt përfundimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *