Qeveria merr vendimin: Asnjë shtetas turk nuk do të hyjë në Mal të Zi pa vizë

Qeveria e Malit të Zi ka vendosur të heqë regjimin pa viza për shtetasit turq, vendim që pritet të hyjë në fuqi të hënën me procedurë të përshpejtuar – njoftoi kryeministri Millojko Spajiq. Ai tha se do të zhvillohen bisedime me Ankaranë për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për të dyja palët, pa dhënë arsye konkrete për vendimin.

Njoftimi erdhi pas një operacioni policor në Podgoricë, ku u arrestuan rreth 50 shtetas turq pas një përleshjeje në një kafene, gjatë së cilës një banor vendas mbeti i plagosur me thikë. Arrestimet shkaktuan reagime dhe tubime të qytetarëve me thirrje ksenofobike kundër turqve, ndërsa policia ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Ministri i Brendshëm Danilo Sharanoviq hodhi poshtë pretendimet se në vend ndodhen 100 mijë shtetas turq, duke sqaruar se numri i tyre real është 13 mijë, prej të cilëve vetëm 80 me qëndrim të përhershëm.

Ndërkohë, policia vendosi forca të shumta sigurie pranë Ambasadës turke në Podgoricë, ndërsa deputeti Boris Bogdanoviq e komentoi aksionin me fjalët: “Mbrojmë vendin tonë, mbrojmë çdo shtëpi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *