Rama kërkon pezullimin e menjëhershëm të AKU-së

Kryeministri Edi Rama kërkoi pezullimin e menjëhershëm të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), gjatë ditës së parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural. Rama e cilësoi institucionin si joefikas dhe “më shumë problem sesa zgjidhje”. Ai njoftoi ngritjen e një komisioni të posaçëm për shqyrtimin e burimeve njerëzore të AKU-së, me përfshirjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Një tjetër njoftim i rëndësishëm ishte ndërhyrja e pritshme e qeverisë në çmimin e naftës. Kryeministri paralajmëroi rishikim të skemës aktuale dhe krijimin e një ekuilibri të ri për konsumatorët, duke premtuar kushte të reja bashkëpunimi me sipërmarrjen.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe legalizimi i strukturave prodhuese në zonat rurale. Rama njoftoi se deri në fund të gushtit do të përgatiten procedurat ligjore, në bashkëpunim me bashkitë dhe Agjencinë e Kadastrës, për të zgjidhur problemet që lidhen me legalizimin e stallave dhe ambienteve të tjera të fermerëve.

Kryeministri ngriti gjithashtu alarmin për informalitetin në tregun bujqësor, duke theksuar rrezikun që sjell tregtimi i produkteve pa faturë. Ai paralajmëroi masa për formalizimin e tregtisë, veçanërisht për produkte të ndjeshme si qumështi, dhe bëri me dije se Ministria e Financave ka përgatitur ndryshimet për unifikimin e TVSH-së, si dhe një fazë sensibilizimi për fermerët përpara vendosjes së gjobave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *