Një grup speleologësh ka zbuluar një koloni të jashtëzakonshme merimangash në një shpellë përgjatë kufirit Shqipëri–Greqi, sipas një studimi të botuar në revistën shkencore Subterranean Biology.
Kolonia, e gjetur në të ashtuquajturën Shpella e Squfurit, mbulon rreth 106 metra katrorë të mureve shkëmbore dhe përmban afro 111 mijë merimanga të dy llojeve – Tegenaria domestica (merimanga shtëpiake) dhe Prinerigone vagans. Ky është rasti i parë i dokumentuar në botë ku këto dy specie bashkëjetojnë dhe ndërtojnë një rrjetë të përbashkët koloniale.
Sipas shkencëtarëve, vendndodhja e kolonisë përkon me një zonë ku grumbullohen rreth 2.4 milionë miza chironomid, të cilat përbëjnë burimin kryesor të ushqimit për merimangat.
Shpella shtrihet në territorin e dy shteteve, me hyrjen në Greqi dhe pjesët më të thella brenda kufirit shqiptar. Studiuesit e përshkruajnë këtë zbulim si një fenomen unik në botën e faunës nëntokësore.