Strukturat e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, po ndjekin nga afër situatën e krijuar nga reshjet e shiut gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin.
Qarku Shkodër rezulton më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë. Që prej mëngjesit të sotëm, ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Forcave të Armatosura janë në terren në bashkinë Vau Dejës, ku situata po kthehet në normalitet. Niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht.
Në zonat ku banesat rrezikoheshin nga prurjet e përroit, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës dhe ngritjen e një argjinature mbrojtëse. Punime po zhvillohen edhe në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi, ku po pastrohen inertet nga rrëshqitjet për të garantuar qarkullim normal.
Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar problematika në infrastrukturë apo në banesa si pasojë e motit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore të emergjencave mbeten në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.