Tarifa e re për transmetimin e të dhënave të udhëtarëve do të reflektohet në çmimin e biletave
Një tarifë e re prej 200 lekësh për pasagjer, e vendosur për transmetimin e të dhënave në Sektorin e Inteligjencës së Udhëtarëve (SIU), pritet të ndikojë direkt në çmimet e biletave të trageteve dhe fluturimeve me charter. Kompanitë e transportit paralajmërojnë se kjo do të rrisë çmimin e biletës për çdo udhëtar me rreth 2 euro.
Sipas vlerësimeve, kostoja totale për kompanitë e transportit ajror dhe detar mund të arrijë rreth 25 milionë euro në vit, bazuar në 12,3 milionë pasagjerë që pritet të udhëtojnë gjatë vitit 2024. Kompanitë italiane dhe shqiptare të trageteve, përfshirë “Adria Ferries”, theksojnë se nuk janë informuar më parë për mënyrën e raportimit të të dhënave dhe detyrimin e pagesës.
SIU do të menaxhohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe do të operojë 24 orë në ditë për të mbledhur dhe analizuar të dhënat e pasagjerëve, të cilat do të përfshijnë emrin, mbiemrin, gjininë, datën e lindjes, shtetësinë dhe informacion mbi mjetet e transportit. Transmetimi i të dhënave do të bëhet përpara nisjes dhe pas përfundimit të udhëtimit, duke përdorur standarde ndërkombëtare të sigurisë së informacionit.
Ministria e Brendshme ka sqaruar se SIU është krijuar për të rritur sigurinë kombëtare, për të parandaluar veprimtari kriminale ndërkombëtare dhe për të identifikuar rreziqe potenciale ndaj sigurisë kufitare.
Përshtatur nga Monitor