Platforma e pagesave PayPal po bashkëpunon me OpenAI për të sjellë një mënyrë të re blerjeje brenda vetë ChatGPT, duke lejuar përdoruesit të blejnë produkte pa dalë nga biseda me chatbot-in.
Kjo nismë do t’u mundësojë përdoruesve të kryejnë pagesa të menjëhershme (instant checkout) dhe të përfundojnë transaksionet përmes sistemit të PayPal, ndërsa shitësit do të kenë mundësi të shesin produkte drejtpërdrejt brenda ChatGPT.
Sipas Alex Chriss, president dhe CEO i PayPal, qëllimi është të krijohet “një përvojë ku njerëzit kalojnë nga biseda te pagesa me vetëm disa klikime”.
Përdoruesit do të kenë gjithashtu qasje në portofolin e tyre dixhital të PayPal — duke parë bilancin, kartat dhe llogaritë bankare — si dhe mundësinë për të ndjekur porositë apo për të bërë ankesa për mosmarrëveshje.
Për tregtarët, PayPal do të merret me proceset e prapaskenës si verifikimi i pagesave dhe menaxhimi i produkteve, duke e bërë të mundur që “mijëra artikuj” të jenë të aksesueshëm për blerje brenda ChatGPT.
Kjo është pjesë e iniciativës “Buy it in ChatGPT”, që OpenAI ka nisur fillimisht në SHBA, duke i lejuar përdoruesit të blejnë produkte nga platforma si Etsy dhe së shpejti edhe nga më shumë se një milion tregtarë Shopify, përfshirë marka të njohura si Glossier, SKIMS, Spanx dhe Vuori.
Për të ndihmuar zhvilluesit, OpenAI ka publikuar gjithashtu në open source kodin “Agentic Commerce Protocol”, që mundëson krijimin e shportës së blerjeve.
Në të njëjtën kohë, PayPal ka njoftuar bashkëpunime të reja edhe me Google dhe Perplexity, për të ndërtuar përvoja të personalizuara blerjeje me inteligjencë artificiale.