Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ushtria e SHBA-së ka zhvilluar gjatë natës së Krishtlindjes një operacion ushtarak kundër celulave të ISIS-it në veriperëndim të Nigerisë. Sipas tij, aksioni ishte një reagim ndaj vrasjeve të të krishterëve të pafajshëm në atë zonë.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump theksoi se administrata e tij nuk do të tolerojë terrorizmin radikal islamik dhe e cilësoi operacionin e Pentagonit si të suksesshëm. Trump shkroi në rrjetin social Truth: “Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë edhe terroristët e vdekur. Numri i tyre do të rritet nëse vazhdojnë masakrat ndaj të krishterëve”, duke paralajmëruar kështu se sulme të tilla do të vazhdojnë nëse dhuna ndaj civilëve nuk ndalet.
Operacioni u konfirmua edhe nga Komanda Ushtarake e SHBA-së për Afrikën (AFRICOM), e cila sqaroi se veprimi u krye me kërkesë të autoriteteve nigeriane, në shtetin e Sokotos. Kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, falënderoi Nigerinë për bashkëpunimin dhe tha se detaje të tjera do të publikohen në ditët në vijim.