Shkencëtarët kinezë po flasin për një koronavirus të ri!

Një grup shkencëtarësh kinezë ka zbuluar një koronavirus të ri te lakuriqët e natës, i cili mund të përbëjë një rrezik për transmetimin nga kafshët tek njerëzit. Ky virus përdor të njëjtin receptor si ai që shkakton Covid-19, sipas një studimi të publikuar në revistën “Cell”, i drejtuar nga virologia e njohur Shi Zhengli. Ajo ka bërë kërkime të thelluara mbi koronavirusët te lakuriqët e natës, dhe ky projekt është realizuar në bashkëpunim me disa institucione, përfshirë Universitetin e Wuhanit dhe Institutin e Virologjisë në këtë qytet.

Edhe pse origjina e Covid-19 mbetet një temë diskutimi, disa studime sugjerojnë se ai mund të ketë kaluar nga lakuriqët te njerëzit përmes një kafshe ndërmjetëse. Shi Zhengli ka hedhur poshtë çdo lidhje të Institutit të Wuhanit me përhapjen e pandemisë.

Virusi i ri është pjesë e linjës HKU5, i cili u identifikua për herë të parë te një lakuriq japonez në Hong Kong dhe është një variant i merbekovirusëve, që përfshin gjithashtu virusin e Sindromës së Frymëmarrjes së Lindjes së Mesme (MERS).

Ky virus ka aftësinë të lidhet me receptorin ACE2 te njerëzit, njësoj si SARS-CoV-2, dhe mund të infektojë qelizat dhe indet që imitojnë organet e frymëmarrjes dhe të tretjes. Megjithatë, një studim i mëparshëm nga Universiteti i Uashingtonit dhe ai i Wuhanit kishte arritur në përfundimin se ky virus nuk lidhej me receptorët ACE2 te njerëzit në mënyrë të efektshme. Ndërkohë, ekipi i Shi Zhengli ka zbuluar se ky lloj virusi është më i përshtatshëm për të lidhur receptorët ACE2 te njerëzit, duke e bërë kështu më të mundshëm transmetimin ndërmjet llojeve të ndryshme.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se virusi ka një aftësi shumë më të ulët për të infektuar njerëzit në krahasim me Covid-19 dhe nuk e konsiderojnë atë një kërcënim të menjëhershëm, por rekomandojnë monitorim të vazhdueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *