Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi u kap duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit dhe duke kryer manovra të rrezikshme në një zonë të banuar.
Sipas njoftimit zyrtar, patrulla e Komisariatit të Policisë Bulqizë vuri re automjetin që lëvizte në mënyrë të parregullt në lagjen e vjetër të qytetit. Pas ndalimit, drejtuesi i mjetit, Xh. D., iu nënshtrua testit të alkoolit dhe rezultoi pozitiv, duke vërtetuar se ishte në gjendje të dehur.
Gjatë shoqërimit për në komisariat, 34-vjeçari kundërshtoi me dhunë oficerët e policisë, por u neutralizua dhe u arrestua në flagrancë nga shërbimet e policisë, në bashkëpunim me oficerin e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Dibrës.
Ai akuzohet për tre vepra penale: “Kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtim të automjeteve në mënyrë të parregullt”.