Meqenëse kompani të mëdha si Amazon, UPS, Target dhe Skydance Paramount kanë njoftuar shkurtime këtë javë, shumë punonjës janë të shqetësuar se edhe kompania e tyre mund të jetë në listën e radhës.
Por ekspertët paralajmërojnë se ekzistojnë tre shenja kryesore që tregojnë se një valë pushimesh është afër — ndaj kushtojini vëmendje për të mos u zënë në befasi.
“Kompanitë po kuptojnë se mund të jenë më efikase dhe të përdorin më pak staf falë inteligjencës artificiale, ndaj po e shfrytëzojnë këtë moment për të reduktuar numrin e punonjësve,” tha Jason Walker, bashkëthemelues i Thrive HR Consulting, për CNBC.
Shenja e parë, sipas rekrutuese Jalonni Weaver, është ngadalësimi i procesit të punësimeve.
Nëse nuk publikohen më pozicione të reja ose vendet bosh nuk plotësohen shpejt, “nuk është kurrë një shenjë e mirë për gjendjen financiare të kompanisë.”
Shenja e dytë është ndryshimi i mënyrës së komunikimit brenda kompanisë.
“Sapo fillon të përdoret një gjuhë që ‘mbjell farat’ dhe përgatit terrenin për atë që po vjen,” shpjegoi konsulentja Rosie Nestingen për CNBC.
Rey Ramirez nga Thrive HR Consulting pajtohet me këtë, duke këshilluar punonjësit të jenë të vëmendshëm ndaj frazave si ‘duhet të jemi më efikasë’, që shpesh sinjalizojnë se mund të ketë shkurtim të stafit në të ardhmen e afërt.
Shenja e tretë është reduktimi i orëve të punës për disa punonjës.
“Punonjësit nuk mund të përballojnë të jetojnë me 30, 40 apo 50% më pak pagë, ndaj kjo në mënyrë të nënkuptuar i shtyn ata të largohen vetë nga kompania,” shpjegon Ramirez, duke e quajtur këtë praktikë si një formë të ‘largimit të heshtur’.
Masa të tjera, si detyrimi për t’u rikthyer në zyrë (return to office), përdoren gjithashtu për të reduktuar numrin e stafit pa njoftuar zyrtarisht shkurtime.
Në çdo rast, këto janë shenja që tregojnë se kompania mund të jetë duke planifikuar pushime në një të ardhme të afërt.
Në kushtet e një ekonomie të ngadaltë dhe pasigurive që sjell inteligjenca artificiale, Weaver u këshillon punonjësve të mbajnë gjithmonë të përditësuar CV-në.
Edhe nëse nuk planifikoni të ndërroni vend pune, aplikoni herë pas here për pozicione të tjera — për të siguruar që CV-ja dhe aftësitë tuaja në intervista të mbeten konkurruese.