Një zbulim alarmues është bërë në Oqeanin Atlantik, ku një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka lokalizuar mbi 1 mijë fuçi me mbetje bërthamore në Atlantikun Verilindor. Ekipi kërkimor, i nisur nga Franca perëndimore në mes të qershorit, po zhvillon një mision katërjavor në pellgun e Evropës Perëndimore të Atlantikut për të analizuar këto mbetje dhe ndikimin e tyre potencial në sigurinë globale.
Sipas të dhënave historike, midis viteve 1950 dhe 1980, shumë vende industriale hodhën mbetje bërthamore në thellësitë e oqeanit, si një mënyrë “të përshtatshme” për t’i asgjësuar ato larg zonave të banuara dhe aktivitetit njerëzor. Kjo praktikë u ndalua përfundimisht në vitin 1993.
Ekspertët besojnë se në fundin e Atlantikut Verilindor, në thellësi nga 3 mijë deri në 5 mijë metra, ndodhen rreth 200 mijë fuçi të tilla. Ky mision synon të sjellë më shumë transparencë dhe të vlerësojë rreziqet e mundshme që këto mbetje përbëjnë për mjedisin dhe jetën në Tokë.