Sot votohet për autorizimin e arrestimit të saj, Belinda Balluku nuk paraqitet në Kuvend

Teksa Kuvendi pritet të votojë për dhënien ose jo të autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, kjo e fundit ka zgjedhur të mos paraqitet në seancën plenare dhe nuk ka kërkuar të marrë fjalën, siç e parashikon procedura.
Kryeparlamentari Niko Peleshi deklaroi se Balluku nuk kishte bërë kërkesë për të folur në sallë.

Për herë të parë, Balluku foli për çështjen që SPAK ka hapur për të, duke thënë qartë se nuk ka asnjë lidhje me korrupsionin, kur i dorëzoi zyrtarisht detyrën pasardhësit të saj, i cili për gjithë vitet që ajo drejtoi këtë dikaster ishte edhe vartësi i saj.

“Drejtësia besoj që duhet të jetë e lirë dhe e pavarur.
S’kam pasur asnjëherë lidhje me korrupsionin dhe s’e kam penguar kurrë që hetimi të vijojë…
S’kam as 300, as 30 apartamente. S’kam as jahte, as limuzina, as helikopterë, as avionë. Janë pjesë e një gjyqi publik.
Të them të drejtën, unë jam rritur me gjyqe publike dhe ndoshta kurrizi ma mban më shumë se çdo tjetër gjyqin publik. Më vjen keq që kam ngarkuar qeverinë shqiptare me një peshë që nuk i takon.
Kam vendosur të mos shaj, të mos anatemoje, të jem konsistente në qëndrimin tim ndaj drejtësisë, të hesht për një çështje juridike dhe të jem konsistente në qëndrimet e mia për drejtësinë. As e kam penguar dhe as do ta pengoj drejtësinë, tek e cila unë besoj”, tha Balluku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *