Pijet dietike që shumë njerëz i konsumojnë çdo ditë mund të kenë pasoja të këqija për trurin, sugjeron një studim i ri.
Studimi, i publikuar në revistën Neurology nga një grup shkencëtarësh brazilianë, tregoi se personat që përdorin më shumë ëmbëlsues artificialë kishin rënie më të shpejtë në kujtesë dhe aftësi mendore.
Grupi që konsumonte më shumë ëmbëlsues shënoi një “plakje shtesë” të trurit prej rreth 1.6 vitesh, me rënie 62% më të shpejtë krahasuar me të tjerët.
Më të rrezikuar dolën të rriturit nën 60 vjeç dhe ata me diabet. Te personat mbi 60 vjeç nuk u vu re ndikim i madh.
Studimi përfshiu 12,772 të rritur me moshë mesatare 52 vjeç, të cilët u ndoqën për 8 vite. Ata plotësuan pyetësorë mbi ushqimin dhe pijet që konsumonin.
Studiuesit u fokusuan te shtatë ëmbëlsues që përdoren zakonisht në pijet e gazuara, pijet energjike, ujë me shije, kos dhe ëmbëlsira me pak kalori: aspartam, sakarinë, acesulfame-K, eritritol, ksilitol, sorbitol dhe tagatozë.
Konsumuesit më të rregullt arrinin mesatarisht deri në 191 mg në ditë, ndërsa grupi më i ulët vetëm 20 mg. Përveç pyetësorëve, pjesëmarrësit iu nënshtruan edhe testeve të kujtesës dhe gjuhës në periudha të ndryshme të studimit.
Rezultatet treguan se të gjithë ëmbëlsuesit, përveç tagatozës, lidhen me përkeqësim më të shpejtë të funksioneve mendore – sidomos kujtesës.
Shkencëtarja Claudia Kimie Suemoto, autore e studimit, tha:
“Shumë njerëz mendojnë se ëmbëlsuesit artificialë janë alternativë më e sigurt se sheqeri, por të dhënat tona tregojnë se nuk janë aq të padëmshëm, veçanërisht kur konsumohen shpesh dhe që nga mosha e mesme.”
Ajo shtoi se mesazhi kryesor për publikun është: të ulim si sheqerin e shtuar, ashtu edhe ëmbëlsuesit artificialë, dhe sa më shumë të mundemi, të zgjedhim ushqime natyrale e një dietë të balancuar me produkte të freskëta.
Studiuesit prisnin që rreziku të ishte më i madh tek të moshuarit, për shkak të demencës dhe problemeve mendore që shfaqen zakonisht në atë moshë. Por ndodhi e kundërta: më të prekur dolën personat në moshë të mesme.
“Kjo është shqetësuese, sepse mendohet që dëmtimet e trurit fillojnë dekada para se të shfaqen simptomat. Ekspozimi ndaj ëmbëlsuesve në moshën e mesme mund ta përshpejtojë këtë proces,” tha Suemoto.
Prandaj, rekomandimi i tyre është i qartë: sa më pak ëmbëlsues artificialë, aq më mirë – idealisht, shmangni fare. Në vend të tyre, për t’i dhënë shije ushqimeve ose pijeve, mund të përdoren fruta, mjaltë ose pak shurup panje.
Dr. Brintha Vasagar, mjeke familjeje në Milwaukee, e cila nuk ishte pjesë e studimit, theksoi se:
“Për disa njerëz, shmangia e sheqerit ka përfitime më të mëdha se rreziku nga ëmbëlsuesit artificialë. Por për shumicën, sheqeri natyral është më i sigurt. Për më tepër, ëmbëlsuesit artificialë mund të ndryshojnë perceptimin e shijes dhe t’ju bëjnë të konsumoni më shumë ëmbëlsira për të ndier të njëjtin kënaqësim.”
Ajo shtoi se nuk ka ende prova të qarta që ëmbëlsuesit artificialë shkaktojnë drejtpërdrejt demencë ose humbje kujtese, por lidhja ekziston. Sipas saj, shumica e ekspertëve këshillojnë të mos konsumohet më shumë se një porcion në ditë dhe atë vetëm për periudha të shkurtra.
Në vend të pijeve dietike, ajo sugjeron ujin – që mund të freskohet me kastravec, nenexhik apo fruta – si dhe ushqime të thjeshta e të shëndetshme si fruta të freskëta, perime, arra ose djathë. Për ata me diabet, ajo theksoi rëndësinë e një plani individual të hartuar bashkë me mjekun, pasi disa ëmbëlsues mund të rrisin nivelin e sheqerit në gjak.
Kufizimet e studimit
Studiuesit pranuan se studimi ka kufizime: vlerësimi i dietës u bë vetëm në fillim të periudhës dhe të dhënat ishin të vetë-raportuara, pra të bazuara në kujtesën e pjesëmarrësve. Po ashtu, nuk u përfshinë të gjithë llojet e ëmbëlsuesve artificialë.
Nevojiten kërkime të tjera, duke përdorur edhe metoda më të avancuara si imazheria e trurit, për të parë nëse ekzistojnë dëmtime të caktuara që lidhen drejtpërdrejt me këta ëmbëlsues.
Nga ana tjetër, Këshilli i Kontrollit të Kalorive reagoi duke thënë se ëmbëlsuesit me pak ose pa kalori janë kontrolluar e vlerësuar si të sigurt prej dekadash nga autoritetet shëndetësore botërore si FDA në SHBA dhe EFSA në Europë. Ata paralajmëruan që ky studim, për shkak të kufizimeve të tij, mund të keqinformojë miliona persona me diabet që përdorin këta ëmbëlsues sipas rekomandimeve të mjekëve.
Studimi u financua nga Ministria e Shëndetësisë e Brazilit, Ministria e Shkencës dhe Inovacionit dhe Këshilli Kombëtar për Zhvillim Shkencor e Teknologjik.
Burimi: New York Post