Studimi i Universitetit Southampton: Fragmente të kontinenteve po shkëputen ngadalë

Studiuesit kanë zbuluar një proces të fshehtë gjeologjik ku fragmente të kontinenteve shkëputen ngadalë nga poshtë dhe shtyhen thellë në mantelin oqeanik, duke shkaktuar aktivitet vullkanik në zona të papritura të oqeanit.

Shkencëtarët e Tokës kanë zbuluar një proces të fshehtë gjeologjik që tregon se pjesë të kontinenteve shkëputen ngadalë nga poshtë, duke ushqyer aktivitetin vullkanik thellë nën oqeane.

Studimi, i udhëhequr nga Universiteti i Southampton, zbulon se fragmente të kores kontinentale tërhiqen gradualisht nga baza e kontinenteve dhe dërgohen në mantelin oqeanik – shtresa e nxehtë, kryesisht e ngurtë, që lëviz ngadalë nën fundin e detit. Aty, kjo lëndë mund të vazhdojë të nxisë aktivitet vullkanik për dhjetëra miliona vjet.

Ky zbulim ndihmon të zgjidhet një mister i vjetër: si mund që ishuj oqeanikë të vendosur larg kufijve të pllakave tektonike të përmbajnë nënshkrime kimike që i ngjajnë shkëmbinjve kontinentalë, pavarësisht se janë të rrethuar nga hapësira të mëdha oqeanike.

I botuar në Nature Geoscience, kërkimi përfshiu shkencëtarë nga Universiteti i Southampton, Qendra GFZ Helmholtz për Gjeoshkencat në Potsdam (Gjermani), Universiteti i Potsdamit, Universiteti Queen’s (Kanada) dhe Universiteti Swansea.

Gjurmë kimike të lashta në mantel

Shumë ishuj vullkanikë, duke përfshirë Ishullin e Krishtlindjeve në verilindje të Oqeanit Indian, përmbajnë nivele të larta të disa elementeve “të pasuruar”, të cilët zakonisht gjenden në koren kontinentale. Shkencëtarët dyshonin prej kohësh se ky pasurim ndodh sepse procese të fuqishme thellë në Tokë përziejnë material të ricikluar antik në mantel, njësoj si pajisja e miksimit që përzien përbërësit e një brumi.

Deri tani, shkencëtarët besonin se këto elemente të pasuruar vinin nga sedimentet e ricikluara ndërsa pllakat oqeanike fundoseshin në mantel, ose nga kolona shkëmbinjsh të nxehtë që ngrihen nga thellësitë e planetit – të ashtuquajturat plume të mantelit.

Por këto shpjegime nuk mjaftojnë, pasi disa zona vullkanike shfaqin pak gjurmë të riciklimit të kores, ndërsa të tjera duken shumë të ftohta dhe të cekëta për t’u ushqyer nga plume të mantelit.

“Ne e kemi ditur prej dekadash që pjesë e mantelit nën oqeane duken të kontaminuara në mënyrë të çuditshme, sikur copa të kontinenteve të lashta kanë përfunduar diku aty,” tha Thomas Gernon, Profesor i Shkencave të Tokës në Universitetin e Southampton dhe autor kryesor i studimit. “Por nuk kemi mundur të shpjegojmë si ka arritur gjithë ai material kontinental në atë vend.”

Kontinentet po “zhvishen” nga poshtë

Studimi propozon një përgjigje të re: kontinentet nuk shpërbëhen vetëm në sipërfaqe – ato gjithashtu zhvishem nga poshtë, dhe në distanca shumë më të mëdha se sa mendohej më parë.

Shkencëtarët zhvilluan simulime për të imituar sjelljen e kontinenteve dhe mantelit teksa ato tërhiqen nga forcat tektonike.

Puna e tyre ndërtohet mbi kërkimet e mëparshme që tregojnë se kur kontinentet ndahen, forcat e thella tektonike shkaktojnë një valë paqëndrueshmërish – një “valë manteli” – që lëviz përgjatë bazës së kontinenteve, duke shqetësuar rrënjët e tyre në thellësi 150 deri 200 km.

Kjo lëvizje rrëshqitëse zhvillohet me një shpejtësi jashtëzakonisht të ngadaltë – vetëm një miliontë e shpejtësisë së një kërmilli – duke zhveshur gradualisht material nga rrënjët e thella të kontinenteve.

Këto fragmente të zhveshura pastaj shtyhen anash – ndonjëherë mbi 1,000 km – në mantelin oqeanik, ku ushqejnë shpërthime vullkanike për dhjetëra miliona vjet.

Prof. Sascha Brune nga GFZ në Potsdam, bashkautor i studimit, tha: “Zbuluam se manteli vazhdon të ndjejë efektet e ndarjes së kontinenteve shumë kohë pasi vetë kontinentet janë ndarë. Sistemi nuk fiket kur formohet një basen i ri oqeanik – manteli vazhdon të lëvizë, të riorganizohet dhe të transportojë material të pasuruar larg nga vendi i origjinës.”

Dëshmi nga Oqeani Indian

Ekipi analizoi të dhëna gjeokimike nga zona të Tokës, përfshirë Provincën e Seamount-it në Oqeanin Indian, një zinxhir strukturash vullkanike të formuara pasi superkontinenti Gondwana u nda mbi 100 milionë vjet më parë.

Përmes simulimeve dhe analizave kimike, ata zbuluan se menjëherë pas ndarjes së Gondwanës, një shpërthim i magmës së pazakontë dhe të pasuruar u ngrit në sipërfaqe.

Gjatë dhjetëra miliona vjetësh, ajo shenjë kimike u fashit, teksa fluksi i materialit nga nënbaza e kontinentit ra. Kjo ndodhi pa ndonjë plume manteli nga thellësitë e Tokës, të cilin gjeologët e kishin supozuar prej kohësh si shkaktarin kryesor.

Prof. Gernon shpjegoi: “Nuk po përjashtojmë plume-t e mantelit, por ky zbulim tregon një mekanizëm krejt të ri që formëson përbërjen e mantelit të Tokës. Valët e mantelit mund të transportojnë copa materiali kontinental thellë në mantelin oqeanik, duke lënë pas një nënshkrim kimik që zgjat shumë kohë pasi kontinentet janë ndarë.”

Studimi ndërton mbi zbulimin e fundit të ekipit se valët e mantelit mund të shkaktojnë ndryshime dramatike edhe brenda kontinenteve. Puna e tyre e mëparshme tregoi se këto lëvizje të ngadalta, rrotulluese në mantel mund të nxisin shpërthime diamantësh dhe madje të riformësojnë peizazhet mijëra kilometra larg nga skajet e pllakave tektonike.

Përkthyer nga SciTechDaily

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *