Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur besim të fortë në politikat e tij tregtare, pavarësisht tensioneve me Kinën, Kanadanë dhe Meksikën. Gjatë një deklarate nga aeroplani presidencial “Air Force One”, ai e minimizoi shqetësimin për pasojat e luftës tregtare, duke theksuar përfitimet ekonomike që do të sjellin këto politika për SHBA-në.
“Do të fitojmë qindra miliarda dollarë nga taksat dhe do të bëhemi aq të pasur, saqë nuk do të dini ku t’i shpenzoni ato para,” tha Trump, duke shtuar se këto masa do të çojnë në krijimin e vendeve të reja pune dhe hapjen e fabrikave të reja në SHBA.
Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me vendosjen e tarifave të larta ndaj importeve nga Kanadaja, Meksika dhe Kina, si pjesë e strategjisë për të mbrojtur ekonominë amerikane. Megjithatë, presidenti ka shtyrë në kohë zbatimin e disa prej këtyre taksave, sidomos ndaj Kanadasë dhe Meksikës.