Sonte në Bazel të Zvicrës mbahet finalja e madhe e Eurovizionit 2025, ku 26 shtete do të garojnë për trofeun e këtij festivali prestigjioz europian. Shqipëria përfaqësohet nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila do të mbyllë natën finale me performancën e fundit në renditje.
Kënga është pritur mjaft mirë si nga publiku ashtu edhe nga kritika, me CNN që e ka renditur si më të mirën mes të gjitha pjesëmarrëseve. Megjithatë, sipas kompanive të basteve, favoritja kryesore për fitore mbetet Suedia me këngën “Bara Bada Bastu” nga grupi KAJ, një këngë me nota komike që fton për një “seancë sauna”. Suedia ka 42% gjasa për të fituar, dhe një triumf do ta bënte atë vendin më të suksesshëm në historinë e Eurovizionit.
Në garë për trofeun është edhe Austria, përfaqësuar nga JJ me këngën “Wasted Love”, një kombinim i veçantë mes operas dhe teknos.
Mbi 160 milionë shikues pritet ta ndjekin finalen që do të moderohet nga prezantuesja e njohur Mishel Hunziker. Spekulohet se në skenë mund të ngjitet edhe Celine Dion, fituese e Eurovizionit në vitin 1988 për Zvicrën.