Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka ngritur akuza të forta ndaj mënyrës së drejtimit të Bashkisë së Tiranës, duke denoncuar keqmenaxhimin, mungesën e transparencës dhe përkeqësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Teliti shprehet se qyteti ndodhet në një krizë të thellë menaxhimi, ku abuzimi me fondet publike dhe tenderat e dyshimtë janë bërë normë. Ai thekson se problematika të tilla si mungesa e ujit, trafiku i rënduar dhe transporti publik i dobët, po shoqërohen me luks dhe shpërdorim të burimeve nga ana e drejtuesve lokalë.
Sipas tij, situata është aq e rëndë, saqë drejtimi aktual po bën që edhe periudha e mëparshme nën Veliajn të duket më e mirë në krahasim.
Teliti bën thirrje për hapjen e rrugës drejt zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund krizës aktuale dhe për t’i kthyer qytetarëve një drejtim të përgjegjshëm dhe të ndershëm.