Për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin, veçanërisht gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Mjekët rekomandojnë konsum të shpeshtë të ujit edhe në mungesë të etjes, qëndrimin në ambiente të freskëta dhe shmangien e ekspozimit në diell nga ora 11:00 deri në 16:00. Ushqimi i lehtë, i pasur me fruta dhe perime të freskëta, si dhe përdorimi i kremrave mbrojtës dhe veshja me rroba të lehta e me ngjyra të çelura janë disa nga masat praktike të sugjeruara.
Ministria thekson rëndësinë e mbrojtjes së grupeve më të rrezikuara si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Ministrja e Shëndetësisë njofton se ekipet mjekësore janë në gatishmëri për të ofruar ndihmën e nevojshme dhe u bën apel qytetarëve të kërkojnë asistencë në çdo rast emergjent.