Greqia po përjeton momente frike dhe paniku pas stuhisë sizmike që ka prekur Santorin në ditët e fundit. Shqetësimi është përhapur edhe në Turqi, ku sizmologët kanë paralajmëruar banorët e zonave bregdetare si Bodrum, Mugla dhe Aydin të qëndrojnë vigjilentë për një mundësi cunami.
Ky fenomen sizmik, i njohur edhe si “stuhia sizmike”, ka ndikuar gjithashtu në zonat bregdetare të Turqisë, përfshirë Izmir, ku raportohet se ujërat janë tërhequr në disa zona, duke shtuar dyshimet se fenomeni mund të lidhet me aktivitetin sizmik në Cikladet.
Sizmologu Akis Tselentis, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, thekson se nuk ka vend për panik, pasi paniku mund të jetë më i rrezikshëm se vetë fenomeni, por kërkohet vigjilencë. Sipas tij, situata po përkeqësohet dhe, pas tërmeteve të fundit, është e rëndësishme që shteti dhe banorët të qëndrojnë të kujdesshëm. Ai thekson gjithashtu se Komiteti Kombëtar i Rrezikut Sizmik është i pajisur me shkencëtarë me përvojë ndërkombëtare dhe banorët duhet të ndjekin njoftimet e tij.Rreziku më i madh mbetet cunami. Tselentis shpjegon se, për shkak të afërsisë me zonat nënujore, alarmet nga Qendra Kombëtare e Paralajmërimit të Tsunamit mund të mos kenë kohë të mjaftueshme për t’u përhapur, duke shkaktuar një hendek të shkurtër kohor midis njoftimit dhe mbërritjes së cunamit.
Sizmologët këshillojnë që banorët të largohen menjëherë nga brigjet dhe të kërkojnë strehim në zonat më të larta topografike sapo të vërejnë se ujërat po tërhiqen.