Muaji tetor do të startojë me mot tipik vjeshte, i karakterizuar nga reshje të shumta shiu dhe rënie të ndjeshme temperaturash. Meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja, tha në emisionin “Dita Jonë” se në veri pritet që termometri të zbresë deri në 0 gradë Celsius, ndërsa në zonat malore do të shënohen reshjet e para të dëborës.
Sipas saj, e enjtja dhe e premtja do të jenë ditët më problematike, me reshje shiu dhe dëbore, ndërsa të shtunën pritet një përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike. Megjithatë, të dielën dhe të hënën reshjet do të rikthehen sërish.
Porja theksoi se tetori nuk do të sjellë reshje çdo ditë, por ato do të jenë të konsiderueshme dhe të shpërndara në disa periudha të muajit. Parashikimi tregon se tetori do të jetë më i lagësht dhe me temperatura më të ulëta krahasuar me fundin e shtatorit.