Tragjedi në Afganistan, tërmeti 6.3 ballë merr 20 jetë dhe plagos mbi 300 persona

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.3 ka tronditur veriun e Afganistanit pranë qytetit Mazar-i-Sharif, duke shkaktuar të paktën 20 të vdekur dhe mbi 320 të plagosur.

Ministria e Shëndetësisë e talebanëve konfirmoi bilancin paraprak mëngjesin e së hënës, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për nxjerrjen e personave që dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), lëkundjet u regjistruan në orën 00:59 të mëngjesit me orën lokale, në një thellësi prej 28 kilometrash, në afërsi të qytetit Mazar-i-Sharif.

Autoritetet lokale paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë banesa janë shembur plotësisht. Mes godinave të dëmtuara është edhe Xhamia Blu, një prej monumenteve më të njohura fetare të Afganistanit.

Lëkundjet shkaktuan panik të madh në mesin e banorëve, të cilët dolën me nxitim në rrugë, duke lënë shtëpitë nga frika e pasgoditjeve.

Ky është tërmeti më i fundit në një varg fatkeqësish që kanë goditur Afganistanin vitet e fundit. Vetëm dy muaj më parë, një tjetër tërmet në lindje të vendit mori mbi 2 mijë jetë, ndërsa tërmetet e 2022 dhe 2023 në Nangarhar e Herat lanë pas qindra viktima.

Afganistani ndodhet në një nga zonat më aktive sizmike të botës, në vargmalin Hindu Kush. Sipas Shërbimit Gjeologjik Britanik, që nga viti 1900 kjo zonë është goditur nga të paktën 12 tërmete me magnitudë mbi 7 ballë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *