Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se ai do ta padisë BBC-në për deri në 5 miliardë dollarë, pasi transmetuesi britanik kërkoi falje, por tha se nuk do të paguante dëmshpërblime për një montazh të gabuar të një fjalimi.
Transmetuesi e ka refuzuar kërkesën ligjore të Trump për shpifje, por presidenti duket i vendosur të mos e lërë çështjen të mbyllet, edhe pas largimit të drejtuesve të lartë të BBC-së dhe ndërsa polemika kërcënon të shndërrohet në një tension në marrëdhëniet me Londrën.
“Do t’i padisim për nga një deri në pesë miliardë dollarë, ndoshta diku javën tjetër. Mendoj se duhet ta bëj. Ata madje e kanë pranuar që mashtruan,” u tha Trump gazetarëve në bord të Air Force One.