Trump i vë afat Putinit: Paqe brenda 10 ditëve ose pasoja!

Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke paralajmëruar se do të shkurtojë afatin për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës në vetëm 10 apo 12 ditë.

Nga Skocia, ku u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer, Trump deklaroi se është “shumë i zhgënjyer” nga qëndrimi i Putinit dhe mungesa e përparimit në negociatat e paqes. Ai theksoi se nuk ka më durim për të pritur 50 ditët që kishte caktuar më herët dhe se vendimi i ri hyn në fuqi menjëherë.

“Kur merresh me dikë për një kohë të gjatë, e kupton çfarë do të bëjë. I dhashë atij një shans, por nuk po e shfrytëzon,” u shpreh Trump para gazetarëve.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende detaje për hapat që mund të ndërmerren nëse Rusia nuk reagon, por vetë Trump la të kuptohet se “mund të ketë ende një marrëveshje, por jemi vonë në këtë proces.”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se Trump po humbet durimin me Moskën dhe nuk është më i gatshëm të presë gjatë.

Nga Kievi, shefi i kabinetit të presidentit ukrainas Zelensky, Andriy Yermak, reagoi me mirënjohje: “Falënderojmë presidentin Trump për qëndrimin e tij të qartë – paqe përmes forcës. Putini kupton vetëm forcën dhe ky mesazh është dërguar qartë.”

Ndërkohë, Moska ende nuk ka komentuar për deklaratat e fundit të Trumpit. Raundi i tretë i bisedimeve mes delegacioneve ukrainase dhe ruse, i mbajtur më 23 korrik, nuk solli ndonjë përparim të rëndësishëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *