Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar Spanjën me një marrëveshje më të ashpër tregtare, pas refuzimit të këtij vendi për të përmbushur objektivin e ri të NATO-s për shpenzimet ushtarake prej 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Gjatë një konference për shtyp në samitin vjetor të NATO-s në Holandë, Trump e quajti “të tmerrshme” mungesën e angazhimit të Spanjës dhe deklaroi:
“Do të negociojmë një marrëveshje tregtare dhe do t’i bëjmë të paguajnë dyfishin e shumës. Më pëlqen Spanja, por nuk do të lejoj që të përfitojnë pa kontribuar. Është e padrejtë,” u shpreh ai.
Këto komente vijnë në një moment kur vendet anëtare të NATO-s kanë rënë dakord të dyfishojnë shpenzimet për mbrojtjen, nga 2% në 5% të PBB-së, si pjesë e përpjekjeve për të përballuar kërcënimet e sigurisë, përfshirë Rusinë dhe terrorizmin.
Nga ana tjetër, Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi se Spanja do të përmbushë objektivat e aftësive mbrojtëse të NATO-s, por theksoi se shpenzimet aktuale prej 2% të PBB-së janë të mjaftueshme dhe në përputhje me politikën e mirëqenies sociale të vendit. Ai falënderoi aleatët për respektimin e sovranitetit spanjoll.
Për momentin, qeveria spanjolle nuk ka dhënë një reagim zyrtar ndaj deklaratave të Trump.