Presidenti amerikan Donald Trump ka prezantuar zyrtarisht këtë të enjte një program të ri emigracioni të quajtur “Karta e Artë”, përmes së cilës u ofron qytetarëve të huaj një rrugë drejt rezidencës së përhershme në Shtetet e Bashkuara – në këmbim të një pagese prej 5 milionë dollarësh.
Sipas njoftimit të bërë në platformën e tij Truth Social, Trump e cilësoi këtë nismë si një version “më të sofistikuar” të kartës së gjelbër tradicionale. Programi, që aktualisht funksionon përmes faqes zyrtare trumpcard.gov, lejon qytetarët e huaj të regjistrohen në një listë pritjeje për të aplikuar për “kartën e artë”.
Faqja prezanton një dizajn të personalizuar të kartës me portretin e Trump dhe kërkon informacione bazë nga kandidatët si emri, kontinenti i origjinës dhe adresa e emailit. Megjithatë, programi nuk garanton automatikisht shtetësinë amerikane – ai ofron vetëm “akses preferencial” në proceset e emigracionit, ndërsa detajet ligjore mbeten ende të paqarta.
Sipas Trump, ky program nuk kërkon miratim nga Kongresi dhe synon të zëvendësojë skemën aktuale EB-5, e cila u ofron të huajve rezidencë në këmbim të një investimi që varion nga 800 mijë deri në 1.05 milion dollarë.
“Njerëzit që vijnë në Amerikë dhe blejnë këtë kartë do të jenë të pasur dhe të suksesshëm. Ata do të shpenzojnë shumë para, do të paguajnë shumë taksa dhe do të krijojnë shumë vende pune,” – u shpreh Trump në deklaratën e tij.
Programi ka ngjallur menjëherë debat, për shkak të kostos së lartë dhe mungesës së transparencës mbi procesin ligjor që ndjek.