Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër për vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë, duke akuzuar këtë gjykatë për veprime të paligjshme ndaj SHBA-së dhe Izraelit.
Sanksionet përfshijnë kufizime financiare dhe ndalim vizash për individët që punojnë për ICC-në dhe ndihmojnë në hetimet ndaj qytetarëve ose aleatëve amerikanë, si dhe për familjarët e tyre.
Ky veprim erdhi ndërkohë që Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhej në SHBA për një vizitë zyrtare.Gjykata Ndërkombëtare Penale kishte lëshuar një urdhër-arresti për Netanyahu për krime lufte të dyshuara në Gaza, akuzë që Izraeli e mohon.
Gjykata e Hagës ka si qëllim hetimin dhe ndëshkimin e krimeve të rënda ndërkombëtare, por SHBA dhe Izraeli nuk janë anëtarë të saj. Ministri i Jashtëm holandez ka shprehur keqardhje për këtë vendim të Trump.
Kjo nuk është hera e parë që Trump vendos sanksione ndaj ICC-së, pasi në mandatin e tij të parë, ai vendosi masa ndaj zyrtarëve të gjykatës që po hetuan mundësinë e përfshirjes së trupave amerikane në krime lufte në Afganistan, sanksione që më pas u hoqën nga administrata Biden.