Një planet i largët, 564 vite dritë nga Sistemi Diellor, ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve për përbërjen e tij unike: kryesisht akull, me mundësi të konsiderueshme që të përmbajë edhe ujë në gjendje të lëngshme.
Bëhet fjalë për Kepler-10c, një planet i ngjashëm me Neptunin, por më i vogël në përmasa. Sipas një studimi të fundit ndërkombëtar, tashmë të publikuar në revistën Astronomy and Astrophysics dhe të disponueshëm gjithashtu në platformën arXiv, ky planet përfaqëson një shembull të qartë të asaj që shkencëtarët e quajnë “Water World” – një botë e përbërë kryesisht nga ujë.
Modelet teorike të formimit dhe migrimit të planetëve kishin parashikuar ekzistencën e këtyre botëve ujore, por tashmë Kepler-10c ofron një provë konkrete. Konfirmimi përfundimtar për natyrën e tij pritet të vijë nga vëzhgimet e hollësishme të atmosferës përmes teleskopit hapësinor James Webb, ku besohet se do të zbulohen sasi të mëdha të avujve të ujit.
Ky studim përfaqëson një nga analizat më të plota dhe të sakta të realizuara ndonjëherë për një ekzoplanet – një planet jashtë Sistemit tonë Diellor.