Kievi dhe autoritetet ndërkombëtare kanë dënuar sulmet e Rusisë ndaj sektorit civil të energjisë, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e sigurt të termocentraleve bërthamore. Ukraina i ka quajtur këto sulme “terrorizëm bërthamor”, ndërsa Ministria e Jashtme paralajmëroi se ato përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) konfirmoi dëme në nënstacionet kyçe për sigurinë bërthamore dhe uljen e prodhimit në centralin e Rivnes. Rreziqet për sigurinë bërthamore mbeten reale dhe të vazhdueshme, tha drejtori i IAEA-së, Rafael Grossi.
Vëmendja kryesore është tek centralin e Zaporizhjas, më i madhi në Evropë, nën kontroll rus që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Ai ka funksionuar me gjeneratorë rezervë dhe gjashtë reaktorët janë të mbyllur, por energjia është thelbësore për sistemet e sigurisë bërthamore.
Rusia mohon goditjen e infrastrukturës civile, pavarësisht provave. Ukraina ka kryer sulme ndaj objektivave ushtarake ruse dhe vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj sektorit energjetik rus për të kufizuar financimin e luftës.