Universitet për të Moshuarit në Tiranë – Qeveria miraton planin për periudhën 2025–2030

Për herë të parë në Shqipëri, të moshuarit do të kenë mundësinë të ndjekin studimet në një universitet të dedikuar për ta. Në kuadër të “Planit Kombëtar të Veprimit për Moshën e Tretë 2025–2030”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen e UNFPA dhe në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH), ka përgatitur një projekt të veçantë: krijimin e Universitetit të Moshës së Tretë në Tiranë.

Ky universitet synon të përfshijë çdo vit 80 të moshuar mbi moshën 50 vjeç në programe arsimore, shoqërore dhe kulturore, duke ndjekur modele të ngjashme që funksionojnë prej vitesh në vende si Franca dhe Britania e Madhe.

Në këtë institucion inovativ, të moshuarit do të kenë mundësinë të ndjekin kurse të ndryshme me kohë të pjesshme, që përfshijnë fusha si: arti, historia, filozofia, gjuhët, shkencat dhe temat e aktualitetit. Programi nuk është thjesht arsimor, por edhe social, duke u fokusuar në përmirësimin e cilësisë së jetës, shëndetit mendor dhe zvogëlimin e ndjenjës së izolimit dhe vetmisë.

Sipas autoriteteve, pjesëmarrja në aktivitete të tilla ndihmon në rritjen e kënaqësisë nga jeta, përmirësimin e mirëqenies emocionale dhe nxitjen e kohezionit social në komunitet.

Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt integrimit dhe vlerësimit të brezit të tretë, duke u dhënë atyre mundësi për të mësuar gjatë gjithë jetës dhe për të qëndruar aktivë në shoqëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *