Shkencëtarët e Universitetit Kombëtar të Tajvanit kanë zhvilluar një serum eksperimental që në testet laboratorike me minj ka nxitur rritjen e flokëve brenda 20 ditësh.
Sipas studimit të botuar në Cell Metabolism, serumi funksionon duke aktivizuar qelizat dhjamore nën lëkurë, të cilat lëshojnë acide yndyrore që “zgjojnë” qelizat burimore të folikulave të flokëve.
Ekspertët e quajnë këtë një zbulim premtues, pasi tregon një lidhje të re mes metabolizmit të yndyrës dhe rritjes së flokëve. Megjithatë, rezultatet janë vetëm te minjtë, ndaj nuk mund të thuhet ende se ka të njëjtin efekt te njerëzit.
Shkencëtarët kanë dorëzuar një patentë për formulën dhe planifikojnë teste klinike, por deri atëherë serumi mbetet në fazë eksperimentale, jo një kurë e gatshme për rënien e flokëve.