Vjedhja e të dhënave TIMS, Prokuroria merr të pandehur drejtorin e IT-së së Policisë së Shtetit!

Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuza ndaj Ervin Muçës, drejtor i IT-së në Policinë e Shtetit, për hyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike, pas një hetimi lidhur me kopjimin e të dhënave në sistemin TIMS. Ai akuzohet gjithashtu për shpërdorim detyre.

Ngjarja ndodhi më 2 gusht 2023, kur në orët e vona të natës, në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit në Tiranë, u regjistrua një hyrje dhe eksportim të paautorizuar të të dhënave nga Muça. Hetimet zbuluan gjithashtu se persona të paautorizuar hynë në godinë duke përdorur kodin e një punonjësi tjetër që nuk ishte i pranishëm.

Muça, i cili ishte në masën “arrest shtëpie”, ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në të dhënat personale të qytetarëve. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet për kopjimin e të dhënave të sistemit TIMS dhe ka theksuar se nuk ka qenë në zyrë në ditën e incidentit.

Megjithatë, hetuesit kanë në dispozicion pamje filmike nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë Muçën duke përdorur pin-in e një punonjësi për të hyrë në godinën e Policisë dhe për të kryer eksportimin e të dhënave në një pajisje private. Hetimi i mëtejshëm do të zbardhë rolin e tij në këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *