Zbulohet mumia 5 mijë vjeçare, ishte e infektuar me papilloma virus, kolesterol dhe intolerancë ndaj laktozës

Një kërkim i fundit shkencor ka nxjerrë në pah se mumia e famshme Ötzi, e njohur si “njeriu i akullit”, ishte e prekur nga papillomavirusi njerëzor (HPV). Bëhet fjalë për tipin HPV16, një variant që në ditët e sotme lidhet me kanceret gjenitale dhe ato të fytit.

Ötzi jetoi më shumë se 5 mijë vjet më parë në Alpet, pranë kufirit mes Italisë dhe Austrisë, dhe kjo gjetje i shtohet listës së gjatë të problemeve shëndetësore që ai kishte, si fraktura kockash, parazitë intestinalë, karies dentar, kolesterol i lartë dhe intolerancë ndaj laktozës.


Shkencëtarët kanë zbuluar gjurmë të ADN-së së virusit jo vetëm tek Ötzi, por edhe tek mbetjet e një individi tjetër të quajtur Ust-Ishim, një Homo sapiens që ka jetuar rreth 45 mijë vjet më parë në Siberinë Perëndimore. Kjo tregon se HPV ka qenë i pranishëm tek njerëzit që në periudha shumë të hershme të historisë.


Studimi është realizuar nga studiues të Universitetit Federal të San Paolos në Brazil dhe është publikuar në platformën bioRxiv, megjithëse ende nuk i është nënshtruar rishikimit shkencor.

Autorët theksojnë se këto të dhëna mund të kontribuojnë ndjeshëm në kuptimin e evolucionit të papillomavirusit. Sipas bioinformaticienes Juliana Yazigi, autore kryesore e studimit, kjo përfaqëson provën më të vjetër të dokumentuar të HPV-së tek njeriu. Studiuesit mendojnë se HPV16 ka qarkulluar aq gjatë në specien tonë, sa është më e mundshme që njerëzit modernë t’ua kenë transmetuar atë Neandertalëve dhe jo e kundërta.


Ekspertë të tjerë e kanë cilësuar këtë zbulim si jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke nënvizuar se viruset kanë shoqëruar njerëzimin gjatë gjithë evolucionit të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *