Gjithçka është gati për Konklavën historike që do të zgjedhë Papën e 267-të të Kishës Katolike. Të mërkurën, 133 kardinalë nga 66 vende do të hyjnë në Kapelën Sistine për të nisur procesin votues. Pas thirrjes tradicionale “extra omnes”, Konklava do të mbyllet dhe votimi do të nisë me seanca në orët 10:30 dhe 17:30, ndërsa tymi—i bardhë për zgjedhje ose i zi për mungesë konsensusi—do të shihet në orën 12:00 ose 19:00.
Zgjedhja e menjëhershme e Papës është e rrallë, ndërsa më e shpejta në histori ka qenë ajo e Piu XII në vitin 1939 pas vetëm tre votimesh. Kardinalët kanë mbërritur tashmë në Romë dhe përgatitjet në Kapelën Sistine janë përmbyllur. Në Kongregacionin e fundit të Përgjithshëm, u diskutuan çështje kyçe si abuzimet dhe financat e Vatikanit, ndërsa fokusi kryesor mbeti mbi trashëgiminë paqësore të Papës Françesku. Në një botë të ndarë, kardinalët synojnë të zgjedhin një Papë që bashkon.