SHEMBET ÇATIA E KLUBIT TË NATËS, TË PAKTËN 98 PERSONA HUMBIN JETËN!

Të paktën 98 persona kanë humbur jetën dhe mbi 150 të tjerë janë plagosur pas shembjes së çatisë në një klub nate në kryeqytetin e Republikës Domenikane, Santo Domingo. Sipas autoriteteve, mes viktimave ndodhen ish-lojtarët e Ligës së Madhe të Bejsbollit, Octavio Dotel dhe Tony Blanco. Mediat ndërkombëtare raportojnë se Dotel, 51 vjeç, humbi jetën gjatë rrugës për në spital.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, gjatë një koncerti të këngëtarit të njohur të merengues, Rubby Pérez, në klubin e natës Jet Set. Ky i fundit u raportua ndër të bllokuarit në rrënoja. Në momentin e shembjes, qindra persona ishin brenda klubit dhe, për të shpëtuar ata, janë angazhuar rreth 400 shpëtimtarë, të cilët vazhdojnë kërkimin e të mbijetuarve. Ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet.

Po ashtu, Presidenti Luis Abinader njoftoi se mes viktimave ishte edhe Nelsy Cruz, guvernatorja e provincës Monte Cristi dhe motra e ish-lojtarit të bejsbollit Nelson Cruz.

Shembja e çatisë ndodhi rreth orës 1 të mëngjesit, ndërsa brenda klubit ndodheshin të paktën 300 persona. Autoritetet kanë konfirmuar se ende nuk është zbuluar shkaku i kësaj tragjedie. Familjet e të zhdukurve u mblodhën në vendngjarje, duke shpërndarë fotografi të të afërmve të tyre, ndërsa dhjetëra autoambulanca transportuan të plagosurit në spital.

Në shenjë respekti për viktimat, Presidenti Abinader shpalli tre ditë zie dhe vizitoi vendin e ngjarjes bashkë me Zonjën e Parë, Raquel Arbaje, për t’u shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *