Trump: Jemi pranë marrëveshjes për armëpushim në Gaza

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje për armëpushim në Gazë ndërmjet Izraelit dhe Hamasit është shumë pranë dhe pritet të shpallet së shpejti. Gjatë një prononcimi për mediat në Zyrën Ovale, ai u shpreh optimist edhe për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin lidhur me programin bërthamor të këtij të fundit, duke theksuar se “ata nuk mund të kenë një armë bërthamore”.


Ndërkohë, presidenti amerikan komentoi edhe për tensionet tregtare me Kinën, duke akuzuar këtë shtet për shkelje të marrëveshjeve ekzistuese dhe paralajmëroi bisedime të reja me Presidentin Xi Jinping për të zgjidhur çështjen.


Sa i përket arsimit, Trump theksoi dëshirën për të mirëpritur studentë të huaj në universitetet amerikane, pavarësisht përplasjes me Universitetin e Harvardit për numrin e studentëve ndërkombëtarë. Ai nënvizoi rëndësinë e pranisë së studentëve cilësorë në SHBA, duke përmendur gjithashtu mbështetjen financiare të madhe që Harvard ka marrë nga shteti.


Deklaratat u bënë gjatë një ceremonie ku presidenti i dorëzoi Elon Musk një çelës të madh të artë si simbol falënderimi për kontributin e tij në administratë. Musk shprehu përkushtimin për të vazhduar punën e tij, duke theksuar sfidat me të cilat është përballur në përpjekjet për të reduktuar shpenzimet qeveritare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *