Qyteti gjerman Eisenhüttenstadt, i vendosur pranë kufirit me Poloninë, po ofron një program prove 14-ditor për ata që janë të interesuar të zhvendosen atje. Iniciativa, e quajtur “Bëj Plane Tani”, është pjesë e një projekti inovativ për tërheqjen e banorëve të rinj dhe pritet të zhvillohet nga 6 deri më 20 shtator.
Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të akomodohen falas në apartamente të mobiluara në qendër të qytetit, duke pasur mundësinë të njihen me jetën, punën dhe komunitetin lokal. Programi përfshin aktivitete orientuese si ture në qytet, vizita në uzina dhe shëtitje, ndërsa bizneset lokale do të ofrojnë mundësi stazhi dhe intervista pune.
Eisenhüttenstadt, i themeluar në vitin 1950 si qyteti i parë i planifikuar nga ish-Gjermania Lindore, ka pësuar një rënie të ndjeshme të popullsisë që nga ribashkimi gjerman, nga mbi 50,000 banorë në rreth 24,000 sot. Me këtë skemë, autoritetet synojnë të tërheqin banorë të rinj, veçanërisht punëtorë të kualifikuar dhe profesionistë të vetëpunësuar.
Aplikimet për programin janë të hapura deri në fillim të korrikut.