Një raport i bujshëm nga gazetarja e njohur britanike, Camilla Tominey, ka hedhur dritë mbi gjendjen shëndetësore të Mbretit Charles, duke sugjeruar se monarku 76-vjeçar pritet të jetojë me kancerin, por jo të vdesë prej tij. Kjo nënkupton se sëmundja është e menaxhueshme, por jo e shërueshme – një situatë e zakonshme për pacientët e moshuar me kancer.
Raporti, i publikuar në Daily Telegraph, vjen në një moment delikat për familjen mbretërore, pasi përforcon zërat se shëndeti i mbretit është më i brishtë se sa pranohet publikisht. Megjithatë, burime zyrtare kanë deklaruar se Charles po i rikthehet detyrave të tij mbretërore dhe ai vetë është shprehur se është në “anën tjetër” të krizës shëndetësore.
Ndërkohë, Tominey thekson se për shkak të sfidave shëndetësore, Charles nuk do të zhvendoset asnjëherë përfundimisht në Pallatin Buckingham. Gjithashtu, në raport përmendet se megjithëse planet për 80-vjetorin e mbretit në vitin 2028 janë shumë të hershme, ato tashmë kanë nisur.
Në anën tjetër, marrëdhëniet e Mbretit Charles me djalin e tij, Princin Harry, mbeten të tensionuara. Harry, në një intervistë të fundit për BBC, është shprehur se nuk e di sa jetë i ka mbetur të atit, pasi Mbreti nuk pranon të flasë me të. Princi gjithashtu u ankua për mungesën e sigurisë në Britani dhe deklaroi se nuk mund ta sjellë familjen e tij atje, duke nënkuptuar se disa figura të fuqishme në pallat “nuk e duan të gjallë”.
Gjithsesi, raporti sugjeron se mund të ketë një përpjekje për pajtim mes tyre, ndoshta gjatë Lojërave Invictus në Birmingham më 2027. Aty mund të ndodhë ribashkimi publik mes Charles dhe Harry, ndoshta edhe me dy fëmijët e këtij të fundit, Archie dhe Lilibet, të cilët mbreti nuk i ka parë që nga viti 2022.
Burime pranë pallatit mbretëror shpresojnë që një ribashkim i tillë do të ndihmojë në përmirësimin e perceptimit publik për mbretin, duke i dhënë fund narrativës së përçarjes familjare.