Drejt zbulimit më të madh të shekullit, zbulohet “mrekullia” në varrin egjiptian!

Nën rrënojat e qytetit antik Taposiris Magna në Egjipt, arkeologët kanë zbuluar një tunel mbresëlënës të cilin ekspertët e cilësojnë si një “mrekulli gjeometrike”. Zbulimi u bë nga arkeologia Kathleen Martinez dhe ekipi i saj nga Universiteti i Santo Domingos, në një thellësi prej 13 metrash nën tokë.

Tuneli, 2 metra i lartë dhe i gdhendur në 1,305 metra gur ranor, ngjan me tunelin antik Eupalinos në Greqi – një vepër e njohur inxhinierike. Qëllimi i këtij tuneli mbetet ende i panjohur, por një pjesë e tij është aktualisht e zhytur në ujë.

Martinez, që nga viti 2004 kërkon varrin e humbur të Kleopatrës VII, beson se ky tunel mund të jetë një pistë e re për ta zbuluar atë. Gjatë gërmimeve në tempullin e ndërtuar nga Ptolemeu II rreth vitit 280 p.e.s., janë gjetur monedha dhe figura të Kleopatrës, Aleksandrit të Madh dhe perëndeshës Isis – me të cilën Kleopatra kishte një lidhje të veçantë.

Faza e ardhshme e kërkimeve do të fokusohet në zonën bregdetare të Mesdheut pranë tempullit, ku shekuj më parë tërmetet shkaktuan shembjen e strukturave dhe fundosjen e tyre në det. Deri tani, janë gjetur fragmente qeramike dhe një bllok guri gëlqeror, por shpresat për zbulimin e varrit legjendar të Kleopatrës dhe Mark Antonit mbeten të larta.

Siç deklaronte në 2009 Zahi Hawass: “Nëse e gjejmë varrin e tyre, do të jetë zbulimi më i madh i shekullit të 21-të.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *