Italia po përballet me një rritje shqetësuese të rasteve me zgjebe, një sëmundje infektive e lëkurës, e cila po përhapet me ritme alarmante, veçanërisht në rajonin e Lacios dhe qytetin e Bolonjës. Sipas Shoqatës Italiane të Dermatologjisë dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, rastet janë shtuar me 750% gjatë periudhës 2020–2023.
Zgjebja, e shkaktuar nga një merimangë mikroskopike, transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë ose përmes objekteve të kontaminuara si çarçafë, peshqirë dhe veshje. Simptoma kryesore është kruajtja e fortë, sidomos gjatë natës, e shoqëruar nga skuqje ose papula në lëkurë.
Ekspertët fajësojnë ndër të tjera rezistencën ndaj ilaçeve për përhapjen e sëmundjes, e cila po shfaqet në qendra sociale, shkolla dhe spitale.
Në rast infektimi, rekomandohet ndërhyrje e menjëhershme mjekësore, si dhe trajtimi i të gjithë personave me të cilët është pasur kontakt i afërt — edhe nëse nuk kanë simptoma. Po ashtu, këshillohet larja e rrobave dhe çarçafëve në temperatura të larta për të parandaluar përhapjen.