Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke bërë thirrje për evakuim urgjent të qytetit të Teheranit. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump ka kritikuar ashpër Iranin për mosnënshkrimin e një marrëveshjeje bërthamore me SHBA-në, përpara fillimit të sulmeve nga Izraeli.
“Irani duhet të firmoste marrëveshjen kur i thashë unë. Shumë gjynah, gjithë ato jetë të humbura. E thënë shkurt dhe qartë: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. E kam thënë shumë herë! Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani”, shkroi Trump.
Ndërkohë, pas largimit të tij të papritur nga samiti i G7, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Trump ishte kthyer në Uashington për të ndërmjetësuar një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit. Por kjo deklaratë u përgënjeshtrua menjëherë nga Trump:
“Nuk u ktheva në Uashington për armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit. Macron as nuk e di fare pse u ktheva, por e sigurt që nuk ka të bëjë me armëpushimin. Ka të bëjë me diçka më të madhe. Do ju mbaj të informuar”, theksoi ai.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment shumë të tensionuar për rajonin, ku përplasjet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi.