Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik mund të risjellë në vëmendje misteret e lashta të Egjiptit. Një ekip studiuesish italianë, në bashkëpunim me Universitetin e Strathclyde në Skoci, ka njoftuar për ekzistencën e një strukture masive nëntokësore nën piramidën e Menkaure në Gizë – që sipas tyre, mund të jetë një qytet i dytë i lashtë, i lidhur me piramidat ekzistuese.
Sipas Filippo Biondi, ekspert i radarëve dhe bashkautor i studimit, radari nëntokësor ka zbuluar një rrjet të dendur tunelesh që duket se lidh piramidën e Menkaure me atë të Khafre, ku më herët janë identifikuar tetë shtylla gjigante në formë spirale, të gjata deri në 2,000 metra. Studimi sugjeron që edhe nën Menkaure ndodhen struktura të ngjashme, megjithëse më të vogla në përmasa.
Biondi thekson se ka 90% probabilitet që këto piramida të jenë pjesë e një kompleksi nëntokësor të ndërlidhur, duke sugjeruar se ato janë “majat e ajsbergut” të një megastrukture të fshehur, të ndërtuar ndoshta nga një qytetërim i humbur afro 38,000 vjet më parë – shumë më i hershëm se vetë piramidat që njihen sot.
Megjithatë, ky pretendim është përballur me skepticizëm të fortë. Eksperti i njohur egjiptian, Dr. Zahi Hawass, ka mohuar mundësinë e një zbulimi të tillë, duke theksuar se teknologjia aktuale nuk mund të depërtojë në thellësi prej mijëra metrash dhe se rezultatet nuk janë rishikuar apo publikuar në ndonjë revistë shkencore serioze.
Sipas studiuesve, këto struktura mund të jenë ndërtuar për të kanalizuar ose përfshirë elementë natyrorë si ujin, ajrin, zjarrin dhe tokën – çka sugjeron një funksion të ndërlikuar dhe të sofistikuar.
Për momentin, gjithçka mbetet në nivelin e hipotezës. Pa një gërmim real arkeologjik, askush nuk mund të konfirmojë me siguri nëse nën piramidat e Gizës fshihet një qytet i dytë i lashtë – apo një ndërthurje e pasionit për misterin dhe teknologjisë së avancuar.