Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka njoftuar një përforcim të madh të ushtrisë serbe, duke e lidhur këtë me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e mundshëm të tyre në rajonin e Ballkanit.
Në një intervistë televizive, Vuçiç tha se krijimi i një bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe përfshirja e mundshme e Bullgarisë, nuk duhet të nënvlerësohet. Ai e cilësoi këtë një arsye të mjaftueshme për të rritur kapacitetet ushtarake të Serbisë.
“Gjatë viteve të fundit kemi bërë investime të rëndësishme në fshehtësi. Sot ushtria serbe është shumë më e fuqishme dhe më e përgatitur për të përballuar çdo sfidë,” u shpreh ai.
Vuçiç paralajmëroi gjithashtu se në muajin shtator Serbia do të zhvillojë një paradë ushtarake ku do të shfaqet i gjithë arsenali që disponon. “Shumë do të befasohen kur ta shohin me sytë e tyre,” shtoi ai.
Megjithatë, presidenti serb theksoi se vendi i tij nuk është kërcënim për fqinjët dhe nuk synon të jetë agresor. “Ne duam paqe, por nuk mund të sillemi sikur nuk shohim se çfarë po ndodh në botë. Serbia është e rrethuar nga vende të NATO-s, ndaj është detyrim të jemi vigjilentë dhe të përgatitur për të mbrojtur vendin tonë,” tha ai.